Sheshet e ndërtimeve si vend-depozitimi për inertet urbane
Nga: Sofokli Mekshi – AJMMI

Në përditshmërinë e punës së AJMMI-t (Agjencia e Mjedisit, Medias dhe Informacionit) për monitorimin e menaxhimit të mbetjeve urbane në bashkitë JP të rajonit të Sarandës, ndeshesh shpesh me një dukuri sa të dëmshme po aq edhe të shëmtuar për hapësirat turistike të zonës! Shumë qytetarë apo banorë të periferisë e kanë bërë zakon që mbetjet e ngurta të dala nga rikostruksioni i banesave vetiake apo edhe ndërtesave tregtare, t’i hedhin vend e pavend! Do t’i gjesh të hedhura pranë kontenierëve të mbetjeve urbane, por edhe jashtë portës së banesave, sa nëpër anët e pallateve po aq edhe nëpër sheshet-bosh të ndërtimit. Kështu, shume pronarë trojesh, pasi kanë bërë sheshimin e vendit të blerë apo të trashëguar, i kanë “braktisur” ato duke krijuar truall të favorshëm për firmat dhe skuadrat e ndërtimit, që mbetjet e ngurta t’i derdhin aty.
Në fotot shoqëruese, “lexon” qartë këtë dukuri të shëmtuar, në rrugët “Ismail Qemali” e “Idriz Alidhima”, në lagjen Nr.4 Sarande. Kjo dukuri është e shtrirë edhe anës rrugës nr.5, të lagjes se rë. Nga monitorimi që kryejmë, 3 herë në javë, që nga Saranda deri në Ksamil, që nga Berdeneshi e deri në Gjashtë-Shelegar, janë të kudondodhura inertet e ngurta, por edhe mobilie të vjetra, krevate hekuri etj.
Operatori i shërbimit të pastrimit e kryen detyrën e tij sipas kontratës që ka me autoritetin kontraktues (Bashkinë), por kurrsesi nuk mund të heq përditë dhjetëra e qindra metërkub mbetje të ngurta. Ajo çka duhet të bëjnë të dy palët, është përmirësimi i vazhdueshëm i punës për Edukimin Publik Ambiental të konsumatorëve dhe të banorëve, në territorin e tyre administrativ. Është e vërtetë që Bashkia Sarandë ka caktuar një vendgrumbullimi të mbetjeve të ngurta, në Volloder. Aty punon shpesh edhe një fadromë për shpërndarjen e këtyre mbetjeve që çon Bashkia, por edhe ndonjë ndërtues i përgjegjshëm.
Ne mendojmë se autoriteti kontraktor duhet të përdor “forcën” e ligjit ndaj këtyre keqbërësve që hedhin inertet e ngurta ku të mundin. Gjithashtu ligji duhet të veprojë edhe ndaj pronarëve të shesheve të ndërtimit, duke i detyruar ata të përfundojnë ndërtimin e objektit për të cilin kanë marrë lejen. Ose të kryejnë rrethimin e shesheve, me qellim që ato të mos vazhdojnë të mbushen me sasi të tjera mbetje te ngurta.
Ne nxisim Operatorin e Shërbimit të pastrimit për të përdorur të gjitha format e edukimit të komunitetit, fletëpalosje sensibilizuese, broshura edukuese, mesazhe promocionale nëpër mediat lokale e rajonale, ashtu sikurse i ka edhe në kontratë me Bashkinë. Nga ana e saj, Shoqata AJMMI, do të vazhdoj të monitoroj e të godas me çdo mjet e mënyrë të gjithë ato individë apo subjekte që më papërgjegjshmërinë e tyre ndotin mjedisin tonë të përbashkët.///
